Dixhitalizohet Biblioteka dhe Fototeka e Arkivave/ Mbi 130 mijë fotografi dhe mbi 12 mijë tituj të aksesueshëm online

25
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka prezantuar sot projeket më të reja, Bibliotekën dhe Fototekën e dixhitalizuar, që përbën një fond me mijëra tituj dhe fotografi, që tani janë më afër studiuesve dhe gjithkujt tjetër.
U prezantua gjithashtu dhe faqja e re e Katalogut online, e rinovuar në aspektin grafik dhe e pasuruar me përmbajtje dhe funksionalitet.
Faqja e re është më e thjeshtuar dhe lineare duke e bërë më të lehtë lundrimin brenda bazës së të dhënave të dokumenteve.
Këto sisteme elektronike do të sjellin lehtësi maksimale për studiuesit dhe të tjerët që kanë interes për librat dhe fotografitë që ruajmë. Në fototekën online gjenden të gjitha fotografitë para vitit 1945 që ruhen në AQSH, e që tani janë vetëm një klikim larg në www.fototeka.arkiva.gov.al ku mund të blihen fotografitë me rezolucion të lartë, pa qenë nevoja për të qenë të pranishëm në sallat e studimit të DPA-së.
Ky sistem online i mundëson gjithkujt që çdo gjë sa i përket Bibliotekës dhe Fototekës ta bëjë përmes sistemit online. Në fototekë të gjitha fotografitë janë të ndara sipas tematikave, ku gjenden rreth 130 mijë fotografi të Para Luftës së Dytë Botërore dhe përbën fototekën më të madhe në Shqipëri, pas asaj të Marubit.
Këtu mund të gjenden edhe fotografi të Institutit “Luce”, që shteti shqiptar i sekuestroi në vitin 1945 dhe një pjesë e tyre më nuk gjenden as në Itali. Fototeka do të pasurohet edhe më shumë me fotografitë e Vani Burdës dhe Thimi Racit, të cilat janë në proces dixhitalizimi. Ndërsa Biblioteka online përmban mbi 12 mijë njësi si antikuar, librin shqip e të huaj dhe periodik dhe lexuesi nga sot mund të kërkojë në faqen www.biblioteka.arkiva.gov.al