E ndërtuar mbi 100 vite më parë, restaurohet ish-Arqipeshkvia e Delbinishtit në Laç

1

Ish-Arqipeshkvia e Delbinishtit në qytetin e Laçit është një prej siteve kulturore që po restaurohet përmes programit EU4Culture financuar nga Bashkimi Evropian, i zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

Ky objekt, i shpallur monument kulture i kategorisë së dytë është e ndërtuar në vitin 1905.

Kjo godinë ndodhet në kodrën e Delbnishtit, në Laç dhe në të kanë shërbyer priftërinj e patriotë të shquar si Dom Nikollë Kaçorri, Rafaelo D’Ambrozio dhe Prend Bardhi.

Projekti “BE për Kulturën” është një nga projektet më të mëdha të trashëgimisë kulturore i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE), me një buxhet të përgjithshëm prej 40 milionë euro dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Ky projekt shtrihet në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, 2019. Krahas restaurimit, projekti do të investojë në rigjallërimin e siteve të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë përmirësimin e shërbimeve dhe të kushteve të sitit.

Qëllimi i tij është të rrisë potencialin turistik, duke kontribuar drejtpërdrejt në rimëkëmbjen socio-ekonomike të Shqipërisë.

Sipërmarrjet lokale, artizanati dhe krijuesit që e zhvillojnë veprimtarinë e tyre rreth siteve të përzgjedhura do të mbështeten përmes granteve, duke siguruar një shtysë të drejtpërdrejtë të prodhimit vendas dhe mirëqenies sociale.

/ata.gov.al