FOTOT/ Destinacioni turistik që duam t’u rekomandojmë këtë të diel

33

Qelza, vetëm 13 km larg qytetit të Pukës, është kthyer vitet e fundit në një atraksion turistik.

Në Qelzë, ndërthuren malet e larta, luginat, si dhe pasqyra ujore e liqenit të Komanit, buzë brigjeve të të cilit qëndrojnë ende kullat shekullore të mbuluara me rrasa prej guri.

Qelza ofron turizmin natyror, atë speleologjik dhe historik.

Ju mund të vizitoni disa nga bukuritë natyrore që ofron Qelza si shpella e Kaurrit, guri i Dil Meres, ujëvara e Levrushkut, maja e Murgës, shpella e Kolikës, shpella e Dakës, rrënojat e fshatit të vjetër të Murgës, fushen e Korit, malin e Krrabit, kishën historike të Qelzës etj.

Në lumin e Buzhalës mund të ushtrohet sporti i bukur i peshkimit, e sigurisht të lahesh në ujërat e kristalta të Gominës që të zhveshin nga stresi i ditëve të zakonshme të punës.

Po ashtu në lëndinat e bukura plot lule, mund të ngrihen kampingje, ndërsa tek ura mbi Gominë dhe Maja e Murgës, mund të fiksohen fotografitë më të bukura.

Qyteti verior i Pukës, i cilësuar një aventurë e bukur turistike e çdo stine, është kthyer në qendër atraksioni turistik për vizitorët vendas e të huaj.