FOTOT/ Turistët gjallërojnë kalldrëmet e gurta të qytetit të Gjirokastrës, ja shifrat

22

Turistët vendas e të huaj po gjallërojnë kalldrëmet e gurta të qytetit të Gjirokastrës, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.

Sipas të dhënave nga bashkia e Gjirokastrës, prej fillimit të vitit janë rreth 10 mijë turistë, të cilët kanë vizituar qytetin e gurtë dhe rrethinat.

Pikat më të frekuentuara janë Pazari karakteristik, kalaja e Argjiros, banesat karakteristike të Zekatëve, Skëndulajve, Parku Natyror i Viroit apo vlerat e trashëgimisë kulturore në njësitë administrative si Parku Arkeologjik i Antigonesë, objektet e kultit, etj.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.