Historike! Filmi shqiptar “Zgjoi” fiton tre çmime ë festivalin më të madh të filmit të pavarur në SHBA

28

Filmi artistik “Zgjoi”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, është nderuar me tre çmime në festivalin më të madh të filmit të pavarur në SHBA, 2021 Sundance Film Festival.

Filmi u nderua me çmimin: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë dhe Çmimi i publikut.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik mes Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri).

Filmi “Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes.

Ajo e fillon këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj. E pikërisht kjo gjë e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj. Rolin e Fahrijes e luan aktorja, Yllka Gashi.