Janar-shkurt, eksportet drejt Kosovës 6.138 milionë lekë

1

Eksportet drejt Kosovës shënuan ulje me rreth 150 milionë lekë gjatë 2-mujorit të këtij viti, ndërsa me 152 milionë lekë ranë edhe importet.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-shkurt ishin 6.138 milionë lekë, nga 6.292 milionë lekë që ishin në 2-mujorin e 2023-shit.

Ndërkohë, importet për 2-mujorin llogaritën 1.660 milionë lekë nga mbi 1.812 milionë lekë që ishin në 2-mujorin e 2023-shit.

Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.

Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/ mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera. Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë.

Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës rreth 2.388 milionë lekë materiale ndërtimi dhe metale dhe rreth 1.795 milionë lekë minerale, lëndë djegëse, energji elektrike.

Tashmë prej datës 1 tetor të vitit 2022 në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.

Janë mbi 1000 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege, jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi. Referuar të dhënave nga Dogana, vetëm gjatë këtij viti janë rritur me 50 % mallrat dhe kontejnerët që zhdoganohen në Durrës dhe kanë destinacion tregun kosovar.

Ndërkohë grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë.

/ata.gov.al