Kroçera “Nautica” me 669 turistë nga 23 vende të botës mbërrin në Durrës

12
669 turistë të huaj, kryesisht nga SHBA, mbërritën sot në mëngjes në portin e Durrësit me kroçerën “Nautica”.
 
Gjatë ditës turistët do të vizitojnë qendrat muzeale, arkeologjike dhe historike në qytetet e Durrësit, Tiranës dhe Krujës. Nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual, mësohet se kroçera ka lundruar gjatë natës së kaluar nga Dubrovniku drejt Durrësit.
 
Turistët vijnë nga 23 vende të botës dhe 491 prej tyre janë amerikanë – thanë burimet, sipas të cilave nuk mungojnë edhe turistë nga Kanadaja, Australia, Japonia, Spanja, etj.
 
Anija turistike po kryen një tur lundrimi në 9 porte të Adriatikut dhe Jonit, kryesisht në Itali, si dhe në tre porte të Greqisë, Kroacisë dhe Shqipërisë.