Linja ajrore gjermane e fluturimeve ‘low cost’ hyn në tregun shqiptar

240
airplane

“Germania”, operatori gjerman i fluturimeve me kosto të ulët nga Gjermania, ka vendosur që të hyjë në tregun shqiptar.

Lajmi është bërë i ditur për “Monitor” nga Dr. Rolf Castro-Vasquez, drejtor ekzekutiv (CEO) i Tirana International Airport. “Ata kanë interes për të fluturuar në disa rrugë drejt Gjermanisë”, pohoi ai.

Në faqen e internetit të kompanisë nuk janë publikuar ende destinacionet dhe tarifat e fluturimeve drejt Tiranës.

Germania ka hyrë ndërkohë prej më se një viti në tregun e Kosovës, ku operon drejt destinacioneve të Parisit dhe Kopenhagenit.

Germania është një linjë ajrore gjermane me seli qendrore në Berlin. Fillimisht kompania u përqendrua në operacionet charter, por, vitet e fundit “Germania” u zhvendos në fluturimet normale të planifikuara, edhe pse disa fluturime çarter fluturojnë ende nën markën e saj.

Ndryshimi në strategji ka çuar në rritje gjatë viteve të fundit dhe “Germania” tani vepron në destinacione në Evropë, Afrikë Veriore dhe Lindjen e Mesme nga disa baza gjermane.

Sot ka 18 operatorë që fluturojnë nga Rinasi: Adria Airways; Alitalia; Austrian Airlines; British Airways; Tuifly; Lufthansa; Aegean; Turkish Airlines; Pegasus Airlines; Blue Panorama Airlines; Turkish Airlines; Blue Panorama Airlines; Air Serbia; Albawings; Mistral Air; Transavia; Volotea; Ernest Airlines.

Pjesën më të madhe të tregut e zënë fluturimet drejt Italisë, me mbi 50%, ku pjesën kryesore e ka Blue Panorama, e ndjekur nga Alitalia, Alba Wings dhe Fly Ernest.

Dr. Rolf Castro-Vasquez thotë se ata janë në diskutimet e fundit edhe me një kompani nga Zvicra, por nuk mund të thotë ende emrin.