Luledielli, panxhar sheqeri, luleshtrydhe; ku kultivohen bimët e veçanta të Shqipërisë (Shifrat)

111

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës që punohet kultivohet me drithëra. Por ka rajone të caktuara të vendit që vijojnë të kultivojnë bimë si luledielli, luleshtrydhe, panxhar sheqeri apo sojë.

Luleshtrydhet

Në rajonin e Fierit, 111 hektarë tokë janë të mbjella me luleshtrydhe. Në total, kjo sipërfaqe arrin të prodhojë më shumë se 4300 ton luleshtrydhe, që kanë si destinacion tregun vendas dhe atë të huaj.

Luledielli

Një bimë tjetër që kultivohet në tre rajone të vendit është edhe luledielli. Kjo bimë është kultivuar gjerësisht para viteve ’90 dhe prodhimi destinohej për industrinë e vajit.

Tashmë kjo bimë kultivohet vetëm në rajonet e Beratit, Durrësit dhe Fierit me sipërfaqe shumë më të vogla se dikur. Konkretisht, me luledielli në vend mbillen 371 hektarë tokë. Prodhimi në total është 846 ton nga të cilat 90 në Berat, 10 në durrës dhe 746 në rajonin e Fierit.

Soja

Edhe bima e sojës kultivohet vetëm në pak rajone të vendit dhe prodhimi  është në nivele të ulëta. Për kultivimin e saj kryesor rajoni i Lezhës ku kultivohen 115 hektarë me një prodhim prej 300 ton.

Në vend të dytë për kultivimin e saj është rajoni i Fierit ku kultivohen 98 hektarë që japin një prodhim 348 ton. Rajoni i tretë ku kultivohet soja është Durrësi, ku  mbillet një sipërfaqe prej 40 hektarësh dhe jep një prodhim 96 ton.

Panxhar sheqeri

Panxhari kultivohej gjerësisht para viteve ’90 në shumë rajone të vendit. Tashmë kultivimi bëhet vetëm në një rajon, në Korçë. Sipërfaqja që mbillet është 702 hektarë. Prodhimi vjetor është 27 mijë e 485 ton.