Mekanika bujqësore, 11.2 milionë euro grant për 156 kontrata për fermerët

9

Investimet në mekanikë bujqësore janë një domosdoshmëri për zhvillimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bujqësisë në vendin tonë.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në sajë të programit IPARD II ka nënshkruar 156 kontrata për zhvillimin e mekanikës bujqësore në ferma.

Këto janë projekte të cilat janë financuar me qëllim përmirësimin e proceseve të punës në fermë duke mbështetur me traktorë dhe agregate të ndryshme, si pajisje për mbjellje, frezim, plugim, traktorë për kryerjen e punimeve agroteknike, etj.

Mjetet e reja bujqësore kanë reduktuar kohëzgjatjen e proceseve të punës, kanë përmirësuar cilësinë dhe rendimentin e prodhimit. Përdorimi i mekanikës së duhur ndihmon edhe në uljen e kostove, duke sjellë rritje të ekonomisë rurale.

Vlera e financimit të dhënë për këto investime, deri tani mban vlerën e 11.2 milionë euro, të cilat janë fonde të Bashkimit Europian në bashkëfinancim me qeverinë shqiptare.