“Mjeshtri i madh” Fatos Kongoli feston sot 78-vjetorin, Franca e ka nderuar me titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit”

13

Shkrimtari dhe akademiku Fatos Kongoli feston sot 78-vjetorin e lindjes.

Fatos Kongoli lindi në Elbasan më 1944. Studimet e larta për matematikë i nisi në Universitetin e Pekinit dhe i përfundoi në Universitetin e Tiranës (1967). Ka punuar për një kohë si gazetar dhe më pas si redaktor në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Filloi të botonte tregime e novela në shtypin letrar nga fundi i ’60.

Deri në vitin 1990 ka botuar vëllimet me tregime “Shqetësime të ngjashme” (1972), “Tregime” (1978), “Të fejuarit” (1982), si dhe romanet “Ne të tre” (1985), “Karuseli” (1990). Në tregimet dhe novelat e tij të para F.K. përzgjedh “jetët e vogla” njerëzore, duke paraqitur bashkë virtyte dhe cene të individualiteteve të botës shqiptare. Prej vitit 1990 priret nga romani: “I humburi” (1992), “Kufoma” (1994), “Dragoi i fildishtë” (1999), “Ëndrra e Damokleut” (2001), “Lëkura e qenit” (2003, fitues i çmimit “Pena e artë”), “Te porta e Shën Pjetrit” (2005), “Jetë në një kuti shkrepësesh” (2007), “Bolero në vilën e pleqve” (2009). “Iluzione në sirtar” (2010), “Si-do-re-la” (2011), “Njeriu me fat” (2013), “Gjemia e mbytur” (2015) etj.

Fatos Kongoli ka fituar tri herë çmimin “Pena e argjendtë” për librin më të mirë në prozë (1995, 2000, 2002), si dhe çmime të tjera brenda dhe jashtë vendit. Është nderuar me titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit” (2010) nga Presidenti i Francës dhe “Mjeshtër i madh” (2012) nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.