Muzetë e Beratit “magnet” për vizitorët, zbardhen shifrat

14

Maji, muaji i parë i sezonit turistik të verës tregoi pritshmëri në rritje të interesit të vizitorëve për Muzeun e Ikonografisë Onufri dhe Muzeun Etnografik. Gjatë muajit maj muzetë e Qendrës Muzeore Berat u vizituan nga 6131 vizitorë vendas dhe të huaj që rezulton të jetë 515 % e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (2021).

Gjithashtu në rritje është numri i vizitorëve vendas dhe të huaj për periudhën 5 mujore janar – maj, që arriti në 10686 vizitorë, 431% e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Konkretisht në muajin janar Qendra Kombëtare e Muzeumeve u vizitua nga 601 vizitorë, në shkurt nga 588 vizitorë, në mars nga 1272 vizitorë, në prill 2092 vizitorë.

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Ky muze ka një fond të pasur etnografik me rreth 1200 objekte.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.