Njihuni me Endritin, doktorin e tri diplomave universitare në Danimarkë

30

I riu shqiptar, Endrit Murtezaj, është mjek në Danimarkë. Ka përfunduar me sukses studimet e larta për mjekësi në Universitetin e Kopenhagës. Tani ushtron profesionin e tij si mjek kirurg në qytetin Horsens.

8 vjet studime dhe 3 diploma në universitetet daneze

Endritit iu deshën plot tetë vjet studime, pa u ndalur, për tu shpërblyer me tri diploma në Universitetet e Danimarkës.

“Gjithmonë më kanë mësuar prindërit për rëndësinë e shkollës. Në shkollën e mesme duheshin nota të mira për të hyrë në shkollën e mjekësisë, e dija se duhej punë e vështirë. Pas 3 vjetësh në shkollë të mesme, erdha në Universitetin në “Aalborg” në Danimarkë, ku studiova “Mjekësinë Industriale” për 3 vjet nga viti 2013 deri në 2016 dhe mora “Bachelorin” tim të parë këtu “BSc, Medicine with Industrial Specialisation”, bën të ditur ai.

Ky sukses nuk i mjaftoi Endritit, sepse menjëherë pasi diplomoi, ai konkurroi dhe u pranua në Universitetin e Kopenhagës, njëri nga universitetet me renome botërore.

“Pas diplomimit, u pranova në mjekësi në Universitetin e Kopenhagës në Danimarke “University of Copenhagen”, ku mora diplomën e dytë “Bachelor” në mjekësi “BSc Bachelor of Medicine, Bachelor of Surgery”.”

“Në vitin 2018 përfundova masterin në mjekësi dhe u bëra mjek në verën e vitit 2021. Ishte emocion i madh si për mua, ashtu edhe për familjen time, sidomos kur e shikoja që babi im ishte krenar”, tha ai.

Vite më parë, Endriti, kur ishte student, ka punuar në Departamentin e Kirurgjisë, në një nga spitalet më të specializuara në Danimarkë, i quajtur “Rigshospitalet”. Endriti gjatë kësaj kohe fitoi shumë njohuri, duke qenë pjesë e shumë operacioneve të vështira me sëmundje gastrointestinale.

Tani ai punon në një spital në qytetin Horsens në Danimarkë.