Ofroi ushqime falas në kohë pandemie, komuniteti i Glasgow nderon biznesmenin shqiptar

25

“Glasgow dhe komuniteti West End u kujdesën për mua kur arrita për herë të parë në Skoci, dhe qyteti ndryshoi jetën time. Doja të bëja diçka për të ndihmuar njerëzit që i duhen më shumë në këtë kohë, sepse qyteti më ndihmoi kur kisha nevojë”.

Me këto emocione i është përgjigjur shqiptari Ed Avdiasi nderimit që iu dha nga komuniteti skocez si heroi i muajit Prill. Ai u shpall hero i shërbimit për këtë muaj , kjo pasi iu përgjigj thirrjes për të inspiruar komunitetin. Një gjest human por edhe që bën krenar çdo shqiptar, Avdiasi, ka siguruar ushqim falas për personat mbi 70 vjeç përgjatë pandemisë. Shqiptari ndihmoi edhe punëtorët e frontit të parë siç janë policët e infermierët për të cilët u shpërndanë ushqime.

“Thjesht doja të ktheja mbrapsht ndihmën që komuniteti më dha mua. Kur më thanë që më kishin nominuar mua unë isha duke drejtuar makinëndhe u ndala në një cep rruge sepse sytë e mi ishin mbushur me lot. Jam shumë krenar për këtë çmim, për gjithësecilin që më ka nominuar dhe i falenderoj, siç falenderoj gjithësecilin që dha ndihmë për komunitetin” u shpreh Avdiasi.

Ed Avdiasi prej më shumë se 20 vitesh jeton në Glasgou ku edhe ka ngritur një biznes të suksesshëm familjar. Edi tashmë është i mirënjohur në zonë si pronar i kafenesë popullore Kothel.