Origjina e fjalës “Shqipëri” dhe “Shqiptar” dhe pse bota na quan “Albania”

133

Në opionionet  e Eqrem Çabej fjala Shqipëri dhe Albani marin disa prejardhje të veçanta, të cilat i shpjegon në pjesëzën e mëposhtme.

Eqerem Çabej

Shqiptari i thotë vetes shqiptar, vendit të vet Shqipëri, Shqipni, po populli njihet në botë, sikundër dihet, lashtërisht si Albanais, Albanese etj., dhe vendi i tij si Albanie, Albania. Ky emërtim i dyfishtë ka arsyet e veta. Ai ka lidhje me disa rrethana të karakterit etnografik, të cilat janë specifike për Shqipërinë e për të kaluarën historike të saj.

Duke u nisur nga faktet, vihet re pikësëpari që vërtet në Shqipëri vetë si emër nacional i popullit zotëron sot gjithkund shqiptar, e si emër i vendit Shqipëri, Shqipni, po që m‘anë tjetër në kolonitë shqiptare që gjinden n‘Itali e në Greqi ky emër nuk njihet. Shqiptarët e Italisë jugore e të Siqelisë, pasardhës të shpërngulurish prej Shqipërie kryesisht gjatë luftërave të para me turqit nën flamurin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) në shekullin e XV e të XVI, e quajnë veten e vet dhe përgjithësisht popullin e atdheut të tyre të vjetër arbëresh, dhe këtë atdhe Arbër, Arbëri. Këto emra përdorin gjer më sot dhe pasardhësit e atyre shqiptarëve që u shpërngulën pak më parë, në shekullin e XIV e të XV, prej Shqipërie për në Greqi, të cilët edhe ata nuk e kanë në përdorim emrin që zotëron sot në Shqipëri; edhe ata përdorin rregullisht arbëresh për “shqiptar”, arbërishte për “gjuhë shqipe”, arbërisht për “shqip, në gjuhën shqipe”.

Këto të dhëna tregojnë qartë që emri i sotëm shqiptar, Shqipëri, Shqipni, në kohë të Skënderbeut ende nuk kishte dalë, ose të pakën nuk ish përgjithësuar, e që ky gjithsesi është më i ri se emri i parë. Kjo do të thotë që emri i vjetër nacional i vendit e i popullit ka qenë arbën, arbër, arbëresh, arbëresh. E meqë ky emër, sikundër shihet me vështrimin e parë, është identik me Albania, Albanese etj. që u përmendën më sipër, nga gjithë këto rezulton që shqiptarët në mesjetë e kanë quajtur veten e tyre ashtu si quhen edhe sot te popujt e tjerë.

Kjo pamje etnografike gjen vërtetimin e plotësimin e saj më një anë me disa të dhëna – të vjetra e më të reja – prej Shqipërie, më anë tjetër me dëshminë e gjuhëve të popujve fqinj me shqiptarët, e m‘anë tjetër me emrat e Shqipërisë e të shqiptarëve në burimet e ndryshme europiane të mesjetës.

Sikundër është vënë re që nga gjysma e shekullit të kaluar, emri i vjetër i vendit, përveç se në kolonitë shqiptare, që sapo u zunë ngoje, është ruajtur edhe vetë në Shqipëri. Një trevë fushore e pjesës perëndimore të Shqipërisë së mesme ç‘merr prej Kurbini e gjer poshtë në pllajat e Durrësit e të Tiranës, pra fusha midis lumenjve Mat dhe Erzen, quhet edhe sot Arbën, dhe mal e arbën përdoret atje për “male e fusha”. Një katund në perëndim të Liqenit të Shkodrës mban emrin Arbnesh, dhe Arbënesh quhet edhe ishulli gjuhësor shqiptar që gjindet afër qytetit të Zarës në Dalmaci, themeluar në gjysmën e parë të shekullit të XVIII, prej të shpërngulurish nga anët e katundit në fjalë. Arbanë është një katund afër Tiranës. Më anë tjetër, në pjesën jugore të vendit, Arbër e Arbërí quhen krahina të ndryshme të trevës malore të Labërisë midis qyteteve të Vlorës dhe të Gjirokastrës e të Delvinës dhe arbëreshë e arbërorë banorët e tyre. Në vise të tjera të Shqipërisë, po ky emër, me trajta të ndryshme (arbën arbër, arbënesh arbëresh, arbnuer arbëror), përdoret në popull me një kuptim etnik, për të shënuar shqiptarin në dallim nga aromuni ose nga anëtari i ndonjë tjetre popullsi ballkanike. Sikundër shihet, emri i lashtë, në rrjedhë të kohës erdhi e u mbulua nga emri i ri shqiptar, Shqipëri, po ka mbijetuar gjer sot nëpër krahina të ndryshme të vendit.

Që ai ka qenë në përdorim me përmasa nacionale, në mbarë territorin gjuhësor të shqipes, këtë e vërtetojnë ndër të tjera edhe vargje popullore si Dalin zojat arbëneshe të anëve të Kosovës. M‘anë tjetër burimet historike të vendit e plotësojnë këtë pamje edhe për të kaluarën. Në monumentet letrare të shqipes së vjetër, të cilat rrjedhin nga shekulli i XVI e i XVII, vendi del rregullisht me emrin Arbënë , populli me arbënesh, arbëruer, dhe gjuha e tij me arbënisht.

Me këto të dhëna të brendshme në lidhje me emrin nacional të Shqipërisë e të popullit të saj, pajtojnë burimet e jashtme, dëshmia e gjuhëve të popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Edhe atje vrehet prania e këtij emri, i cili në rrymë të kohëve rrezatoi prej Shqipërie tek ata popuj. Në serbokroatishten popullore shqiptari quhet arbanas, në dokumentet mesjetare të asaj gjuhe arbanasin. Arbananu quhet ai dhe në bullgarishten popullore, arbanas në rumanishten e vjetër, dhe tek aromunët e Shqipërisë e të Maqedonisë arbines, arbinesi, të gjitha reflekse të shqipes arbënesh e të varianteve të saj. Duke u ngjitur te burimet historike të mesjetës, në dokumentet e shkruara latinisht të vendeve perëndimore të kohës para dinastisë së Anjouve, të cilët patën marrëdhënie politike me disa treva të Shqipërisë, shqiptarët quhen arbanenses, e më vonë albanenses, dhe vendi i tyre Albania, ashtu si edhe sot.

Duke i shikuar këto dëshmi, të brendshme edhe të jashtme, me një vështrim përmbledhës, rezulton se emri nacional i hershëm i popullit shqiptar e i vendit të tij është arbën arbër me variacionet e tij, dhe se ky ka mbizotëruar në Shqipëri gjer në shekujt e parë të sundimit osman.