Përkujtohet në 161-vjetorin e lindjes Bajram Curri

2

Bajram Curri lindi në 1862 në Krushë të Madhe, një fshat ndërmjet Gjakovës dhe Prizrenit. Ai ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve 1899-1900.

Ndihmoi në themelimin e klubeve patriotike dhe shkollave shqipe në Kosovë, si dhe mbrojti alfabetin e gjuhës shqipe të Kongresit të Manastirit. Në vitin 1908 ai u zgjodh nënkryetar i Klubit Patriotik “Bashkimi” të Shkupit.

Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e Kuvendit të Junikut. Mori pjesë në Kryengritjen e Përgjithshme të Armatosur të vitit 1912, ku u shqua si një nga komandantët më të zotë në betejën me ushtritë osmane në Qafën e Prushit, si dhe në Fushë Kosovë. Pas vitit 1912 ai punoi për mbrojtjen e shtetit të pavarur shqiptar, si dhe për çështjen e Kosovës. Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër të vitit 1913, që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare. Ai luftoi për bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Në shtator të vitit 1913 ai ishte një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbo-malazeze. Në vitin 1918 u zgjodh një nga drejtuesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në emër të këtij Komiteti, Bajram Curri, së bashku me patriotë të tjerë shqiptarë të Kosovës, i dërguan një protestë Konferencës së Paqes në Paris, në vitin 1919, në të cilën kërkonin që të njiheshin të drejtat e Shqipërisë dhe popullsisë shqiptare në Kosovë dhe asaj t’i njihej e drejta të shprehte lirisht aspiratat e veta kombëtare. Në Kongresin e Lushnjës, të vitit 1920, ai u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar.

Ky këshill e ngarkoi me detyrën e ministrit pa portofol si dhe komandant të përgjithshëm të forcave të armatosura. Ai u shqua në jetën politiko-shoqërore shqiptare, veçanërisht gjatë viteve 1920-1924, ku krahas luftës për çlirimin e bashkimin kombëtar spikati edhe përpjekja për konsolidimin dhe demokratizimin e shtetit shqiptar. Më 29 mars 1925 Bajram Curri u vra në Dragobi.

/ata.gov.al