Perla e turizmit, nis rikonstruksioni i aksit Ura e Mesit-Kala e Drishtit

27

Investimi i Qeverisë shqiptare për rikonstruksionin e aksit rrugor Ura e Mesit-Kala e Drishtit, pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të zonës, duke rritur mundësitë për investime në bujqësi dhe në shërbimet e turizmit.

Me një gjatësi investimi prej 6 km aksi rrugor Ura e Mesit-Kala e Drishtit lidh së bashku 2 monumente të kulturës, simbole të qytetërimit të lashtë.

Prej vitit 1768 Ura e Mesit, e cila është ura me gjatë në Shqipëri e ndërtuar me gurë mbi lumin Kir shërben për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Në vijim ajo lidhet me Kalanë e Drishtit.

Ndërhyrja me financim të Qeverisë Shqiptare parashikon rikonstruksionin e plotë të aksit Ura e Mesit- Kala e Drishtit, si dhe vendosjen e elementëve mbrojtës dhe zgjerimin e dy urave përgjatë gjithë segmentit. Aktualisht po punohet në skarifikime e nivelim si dhe në ndërtimin e tombinove.

Kjo ndërhyrje është pjesë e programit “infrastruktura vendore dhe rajonale” dhe synon rritjen e zhvillimit ekonomik për banorët e zones, duke rritur mundësitë për investime në bujqësi dhe në shërbimet e turizmit.

Arkitektura e veçantë e përbërë prej 13 harqesh jo simetrike shërben si atraksion turistik, prej nga vizitorët vendas e të huaj fillojnë ecjen për në Kalanë e Drishtit. Frekuentimi dhe rritja e lëvizshmërisë nxit zhvillimin e bizneseve lokale dhe formave të punësimit që industria e turizmit ofron.