Poetja shqiptare fiton çmimin ndërkombëtar letrar “Kristal”

17

Çmimi “Kristal” i Festivalit Ndërkombëtar të Vilenicës për vitin 2019 i jepet poetes shqiptare Manjola Nasi.

Festivali i Vilenicës, një eveniment letrar shumë prestigjioz, organizohet çdo vit në Lubjanë, Lipicë dhe qytete të tjera të Sllovenisë. Në të  marrin pjesë poetë dhe shkrimtarë të rëndësishëm nga vende të ndryshme, që në kuadër të festivalit konkurrojnë mes tyre për çmimin “Kristal”, i cili i jepet çdo vit njërit prej tyre nga një juri ndërkombëtare.

Këtë vit, juria e përbërë nga anëtarë nga Sllovenia, Italia, Maqedonia dhe Irlanda vendosi t’ia japë këtë çmim poetes Manjola Nasi, e cila mori pjesë me 4 nga poezitë e saj të botuara në përmbledhjen “Një udhëtim e gjysmë”. Gjatë fjalimit për dhënien e çmimit, kryetarja e jurisë, kritikja letrare sllovene Silvija Zhnidar, u shpreh se poezitë e Manjola Nasit shfaqin thjeshtësi të pasur dhe qartësi të guximshme; fjalët e saj ndërtojnë një poezi që flet për të vërtetat e jetës dhe janë si gurë që komunikojnë me lexuesin në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke lënë shenjë.

Kjo është hera e dytë që letërsia shqipe nderohet me këtë çmim të rëndësishëm. Dhjetë vjet më parë, në vitin 2009, ai iu dha poetes së mirënjohur Luljeta Lleshanaku.