Produktet “Made in Albania” çajnë tregjet e huaja, shifrat inkurajuese të Bujqësisë

17

Sektori i bujqësisë e mbylli vitin 2021 me një bilanc pozitiv të eksporteve, tendencë e cila po vazhdon edhe në vitin 2022.

Gjatë vitit 2021, sektori i bujqësisë dhe agroindustrisë ka eksportuar produkte në vlerën e 46.4 miliardë lekëve, ku bujqësia ka shënuar një rritje prej 6.5% krahasuar me vitin 2020.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bëri të ditur se gjithashtu rritje me 30% kanë shënuar edhe eksportet e produkteve të peshkimit, ndërsa agroindustria regjistroi 22.5% më shumë eksporte, gjatë vitit të kaluar.

Në tërësi sektori i bujqësisë, pavarësisht vështirësive në të cilën ndodhet, përballë situatës globale jo shumë të favorshme ka treguar qëndrueshmëri në tregjet ndërkombëtare, tendencë që MBZHR parashikon të vazhdojë edhe gjatë vitit 2022.

Sipas MBZHR-së, rritja e eksporteve bujqësore ka vijuar edhe gjatë muajit janar 2022.

Krahasuar me muajin janar të vitit të kaluar eksportet bujqësore janë rritur me 27%, ndërsa agroindustria shënoi 80% më shumë eksporte se në janar të 2021.

Rritja e eksporteve tregon se bujqësia është në strukturën eficiente të prodhimit, ku eksportet e perimeve dhe frutave të përpunuara janë rritur me 16%. Sipas MBZHR-së, vihet re se ka rritje të theksuar të eksportit të prodhimeve të përpunuara, më shumë sesa produktet primare, që ishin më parë. Rast konkret është eksporti i salcës së domates, që është rritur me më shumë se 100% brenda vitit 2021 dhe kjo me lëndë të parë të prodhuar në vend.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bëri të ditur se, eksportet bujqësore u rritën me  15.6% gjatë 2021, krahasuar me një vit më parë duke prekur shifrën e 6 miliardë lekëve.