Projekt 3-vjeçar për mbrojtjen e biodiversitetit në Parkun Detar Karaburun-Sazan

96
Parku Detar Karaburun-Sazan, zona e parë dhe e vetme e mbrojtur detare e Shqipërisë, është përfshirë në një projekt 3 vjeçar (2018-2020), të financuar nga qeveria italiane (Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim).
Ky projekt synon të mbrojë biodiversitetin, gjendjen e ekosistemit dhe të sigurojë një burim të qëndrueshëm të zhvillimit të turizmit dhe rritjes ekonomike përmes kësaj zone të mbrojtur.
Si një prej komponentëve të projektit, riciklimi konsiston në mbrojtjen e ekosistemit nga një rrezik shpesh i pakonsideruar siç është hedhja e pahijshme e vajrave të gatimit në det, kryesisht nga restorante që shtrihen përreth këtij parku.

PNUD në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, zbatues të projektit, bëjnë të ditur se, krahas pastrimit nga plastika apo ndotje të ndryshme, që nga qershori i vitit të kaluar, është arritur bashkëpunimi me 24 operatorë ekonomikë (kryesisht hotele & restorante) që operojnë rreth këtij ekosistemi, për të aplikuar grumbullimin e vajit të përdorur të gatimit në depozita të veçanta.

Ato asistohen nga kompani të specializuara të riciklimit që i informon ata mbi iniciativën e riciklimit që mbron biodiversitetin e këtij Parku.

Parkun Detar Karaburun-Sazan, përmban rrënojat e anijeve të lashta greke, romake dhe Luftës së Dytë Botërore. Ky ekosistem i pasur nënujor, me shkëmbinjtë e tij të pjerrët gëlqeror, shpella gjigante dhe plazhet e izoluara, gjithashtu mburret me mbishkrimet e lashta të detarëve në breg.
Natyrisht, kjo bukuri mahnitëse tërheq vizitorë dhe turistë të shumtë nga vende të ndryshme.