Rekord vaji i ullirit në Shqipëri, këtë vit u prodhua rreth 70% më shumë se vitin e kaluar

10

Sezoni i vjeljes dhe përpunimit të ullirit këtë vit ka qenë shumë i mbarë dhe deri në fund të periudhës dhjetor-janar, pritet që sasia e vajit të prodhuar të jetë 70% më e lartë se ajo e vitit të kaluar.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, rritja e prodhimit të ullinjve, lidhet me shtimin e rrënjëve të reja të ullirit dhe të shërbimeve që fermerët kanë bërë me ullirin dhe kushtet klimatike.

Ndërkohë që ulliri dhe prodhimi i vajit të ullirit do të mbështetet edhe nga Programi IPARD III që pritet të nisë vitin që vjen.

Prodhimi i vajit të ullirit shënoi mbi 25 mijë tonë këtë vit dhe programi qeverisë për zhvillimin e ullirit, synon shtimin e sipërfaqes së përgjithshme me ullinj dhe rritjen e prodhimit të vajit “Made in Albania”.

Sipërfaqja e ullishtave  aktualisht vlerësohet të jetë rreth 50 mijë hektarë gjithsej. Aktualisht numri i ullinjve gjithsej parashikohet të jetë rreth 9 milionë rrënjë dhe numri i linjave bashkëkohore të përpunimit për vaj, mbi 170.