Së shpejti statuja e Skënderbeut përballë Huniadit në Budapest

83

Në muajt e ardhshëm statuja e heroit tonë kombëtar, Gjergji Kastrioti Skënderbeu do të vendoset në parkun qendror të Budapestit, përballë statujës së bashkëkohësit të tij, heroit të Hungarisë, Janosh Huniadit.

Me nismë nga Bashkia e Tiranës, në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit, skulptori Agim Rada ka nisur punën për realizimin e monumentit të Skëndërbeut, i cili më pas do të vendoset në kryeqytetin e Hungarisë, në shenjë nderimi dhe kujtimi për miqësinë dhe bashkëpunimin që heroi ynë ka pasur me Huniadin, por edhe për miqësinë që vijon mes dy popujve dhe dy kryeqyteteve.

Skuptori Agim Rada premtoi se do ta mbarojë në kohë veprën, ndërsa u shpreh se busti që do të realizohet do të mbështetet mbi statujën e realizuar më parë nga i madhi Odhise Paskali.