Shkencëtari shqiptar krijon njësinë e nanoteknologjisë dhe nanoshkencës

47

Nanoshkenca dhe nanoteknologjia janë teknologjitë pararojë të shekullit. Profesori i njohur shqiptar në universitetin e Barcelonës, i cili jep mësim në Japoni dhe Shtetet e Bashkuara, Arben Merkoçi, është në krye të njësisë së sapokrijuar kërkimore-shkencore të nanoteknologjisë dhe nanoshkencës pranë Akademisë së Shkencave, të quajtur ndryshe “Nanoalb”.

Akademiku i nivelit botëror Merkoçi thotë se nanoshkenca dhe nanoteknologjia aplikohet në fusha të ndryshme, që nga diagnostikimi i sëmundjeve, monitorimi i ndotësve të mjedisit, tek energjia, apo edhe në transferimet teknologjike e industriale. Njësia “Nanoalb” premton se do të bëjë bashkë mendjet më të brilante të trevave shqiptare për të dhënë një kontribut real në Shqipëri. Por, edhe shteti duhet të investojë, pasi shpresat për zhvillim janë të jashtëzakonshme.

“Ideja është që kjo njësi të koordinojë aktivitetet që zhvillojnë shqiptarët në nanoshkencë në Shqipëri dhe në trevat shqiptare. Nanoshkenca ka të bëjë me shkencën që merret me dimensione të vogla, një të biliontën e metrit. Dispozitivët që krijohen në këtë dimension përdoren në fushën e mjekësisë, mjedisit, industriale”, deklaroi akademiku Arben Merkoçi, koordinator i “Nanoalb”.