Si sot, 467 vjet më parë, nisi rrugën e vet fjala e shkruar shqip…

19

“U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë… “Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor shkruan Gjon Buzuku në Meshar, veprën letrare më të vjetër shqipe të botuar dhe të ruajtur deri sot.

Libri përbëhej nga 110 fletë mirëpo kopja e librit që ka arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para dhe ndër to edhe kopertina me faqen kryesore.

Autori i librit ishte Dom Gjoni i biri i Bdek Buzukut, i cili nga dashuria për atdheun e tij, me anën e kësaj vepre, deshi me sa mundte, të afronte sado pak ata që do ta dëgjonin. Ai e nisi këtë me 20 mars 1554, dhe e mbaroi me 5 të Kallëndorit 1555, pa dalë qartë për ne, nëse ishte kjo koha e hartimit apo e shtypit apo u kryen këto dy punë paralelisht. Shumë pak gjëra dihen për shkrimtarin dhe jetën e tij. Ky emër na del në Sarajevë ku ka pasur njerëz të quajtur Buzuk, që e dinin veten fis shqiptarë e ku më 1887, provinciali i Françeskanëve të Bosnjës ka qenë Andria Buzuku, i cili vetë dëshmonte se të parët e tij ishin të dal prej Shqipërie.

Një lokalizim i emrit familjar të autorit tonë, pas kërkimeve të fundit të Justin Rrotës, u bë i mundur për një kohë rreth katër breza para tij. Në Katastrën Veneciane të Shkodrës, përmendet “Vlada “, e veja e një farë Gjura Buzuku për katundin e Reçit në breg të Bunës në krahinën e Ulqinit. Në një dokument të 1445, Buzulki del si emër katundi në krahinë të Tivarit, pranë Obotit të Krruçit. Pastaj ky emër do të jetë ndryshuar në Buzuku, me zëvendësimin e “ulk” me “uk”. Autori i veprës ishte një famullitar i thjeshtë i një komuniteti katolik shqiptar. Gjuha e tij mbete gjithmonë një gegërishte veriore disa veçori dialektore vetanake. Nga kjo del qartë se si ai ishte një bir i Shqipërisë së Veriut, por nuk dihet a i përket anës perëndimore apo lindore të kësaj treve. Nuk është e pamundur që vendi i tij i lindjes të ndodhte në një krahinë që ka mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme.

Justin Rrota mbron tezën se vendlindja e autorit të Mesharit duhet të kërkohet ndër krahinat e Krajës e Shestanit. Nga pikëpamja e historisë së Shqipërisë, sa i përket gjuhës, kemi të bëjmë me një gegërishte të shekullit XVI.

Qëllimi i Gjon Buzukut ishte pajisja e Kishës Katolike shqiptare me një libër që të përmbushte nevojat e përditshme të shërbimeve fetare, dhe ngritjen e kulturës së kleri. Synimi tjetër ishte edukimi fetar i masës së besimtarëve në veshin e të cilëve do të arrinte më në fund fjala e tij, qoftë përmes gojës së priftit, qoftë me anë të leximit direkt të librit. Qëllimi tjetër ishte zëvendësimi i gjuhës së përgjithshme të liturgjisë romake me gjuhën e vendit. Dihet se përdorimi i një gjuhe nacionale brenda në liturgjinë e kishës katolike nuk është një punë e zakonshme. Buzuku, më i vjetri autor shqiptar që njohim, duke u ushqyer te rrënjët e kulturës së atdheut të tij, pati siç është e natyrshme, edhe disa ndikime nga jashtë që janë kryesisht të kohës e të vendit. Megjithëse ato nuk mundën të ndryshonin qenësisht veprën e tij, përsëri u dukën në disa anë të formimit të tij si shkrimtar, në trajtën e jashtme të librit, në karakteret e shtypit dhe zbatimin fonik të tyre. Në vend që të gjykohet autori e libri i tij në mënyrë të njëanshme nga caqet e kohës së sotme, duhet pasur gjithmonë parasysh që Buzuku, ka qenë një bir i Shqipërisë, i pari autor shqiptar, gjatë periudhës së mbarimit të Mesjetës dhe fillimit të Renesancës si dhe i rrethanave në të cilat u formua.