Suzana Shkreli, shqiptarja e parë në garë për Kongresin Amerikan

157

Suzana Shkreli, 29 vjeçe, është gruaja më e re kandidate  për Kongresin Amerikan, dhe shqiptarja e parë që kandidon për të qenë pjesë e Kongresit në Shtetet e Bashkuara, duke përfaqësuar distriktin 8 të Michigan. Prokuroja shqiptaro amerikane, fitoi përballë kandidaturave rë tjera demokrate, dhe tani garon përballë republikanit Mike Bishop, i cili ka qenë dy herë, pjesë e Kongresit.

Por kush është Suzanna Shkreli?

E lindur dhe rritur në Michigan, por me prejardhje nga Malësia e Madhe, është fëmijë i dy prindërve nga Ulqini dhe Gruda. Prindërit Zef dhe Maria Shkreli, kanë emigruar në Amerikë për një jetë më të mirë për katër fëmijët e vet. Suzanna ka një motër më të madhe, Diana, një vëlla binjak, Paul , dhe Mark, vëllai i vogël.

E rritur në një shtëpi ku është inkurajuar nga prindërit për të studiuar shumë, Suzanna përfundoi studimet në Universitetin Perëndimor të Michigan, për drejtësi. Më pas, arriti të bëhej prokurore në Macomb në Departamentin për Mbrojtjen e Fëmijëve në Shtetet e Bashkuara. Kur iu propozua të bëhej pjesë e politikës ajo nuk tha jo, sepse Suzanna Shkreli nuk i thotë kurrë jo, një sfide.