Turizmi në dhjetor, italianët tejkaluan shqiptarët e Kosovës

4

Italianët kanë qenë ata që kanë kryesuar grupin e vizitorëve në muajin dhjetor 2022 në strukturat akomoduese shqiptare.

Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave treguan se 8.9% e net-qëndrimeve ishin nga ky grup duke lënë pas shqiptarët e Kosovës ku net-qëndrimet e tyre ishin 8.7% e totalit. Turqia renditet e treta 2.5% të net-qëndimeve dhe më pas vijnë Gjermania dhe Anglia.

INSTAT vlerëson se Numri i vizitorëve gjithsej në dhjetor 2022 është rritur me 11,1%, në krahasim me Dhjetor 2021. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e tjerë ku numri i vizitorëve rezident është rritur me 3,2% dhe numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 22,6%.

“Numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë me 19,6%. Në Zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 8,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme”, ka shënuar rritjen më të lartë me 4,0%. Në muajin Dhjetor 2022, numri më i lartë i vizitorëve rezulton:  sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (49,8%); sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Jo-bregdetare” (67,0%);  sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (97,4%)” thuhet në publikim.

Netë qëndrimet, më i preferuar rajoni Qendër

“Gjatë muajit Dhjetor 2022, numri i netë qëndrimeve gjithsej ka rënë me 1,0%, në krahasim me muajin Dhjetor 2021. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë me 7,6%.

Në Zonat Jobregdetare ky tregues është rritur me 14,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritjen më të lartë me 2,0%.

Në muajin dhjetor 2022, numri më i lartë i netë qëndrimeve është realizuar: sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (52,1%);  sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Jo-bregdetare” (57,4%);  sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (97,6%)”, nënvizion INSTAT.