“Vanity Fair”: “Mrizi i Zanave” në 12 destinacionet për t’u vizituar në 2022

44

Agroturzimi “Mrizi i Zanave” është një prej ’12 destinacioneve të ëndrrave’, që duhen vizituar patjetër në vitin 2022 sipas revistës prestigjioze italiane “Vanity Fair”.

Në një shkrim të botuar sot “Vanity Fair” publikon një listë me 12 shtëpi fermash, hotele me dizajn, vila, kampingje magjepsëse dhe struktura të tjera origjinale të rrethuara nga natyra, ku mund të kalohen pushime të jashtëzakonshme dhe të shijohet ushqim i veçantë.

“Shumë ide për një udhëtim në kontakt të ngushtë me natyrën ku mundësitë për zbulimin e rrethinave të afërta janë të shumta, të gjitha për t’u shënuar në rendin e ditës për fundjavën e parë të disponueshme”, thuhet në shkrimin e “Vanity Fair”.

Revista prestigjioze ka përfshirë edhe agroturizmin “Mrizi i Zanave” në Fishtë të Lezhës në 12 destinacionet për t’u vizituar në 2022 për të cilin shkruan: “9 dhoma, duke përfshirë 6 në një kullë të lashtë – shtëpi tradicionale e Shqipërisë së Veriut – e rinovuar dhe e pajisur me një dritare xhami nga e cila mund të admironi pamje të mrekullueshme të vreshtave të shtëpisë së fermës: Mrizi i Zanave ndodhet në një fshat të vogël në veri të Shqipërisë, dy orë larg kryeqytetit. Falë shijeve të prodhuara këtu, mes të gjitha byrekëve të shijshëm dhe makaronave të bëra vetë, ka fituar një vend të respektueshëm në skenën gastronomike ballkanike. Afër do të gjeni Kantina Kallmet, ku mund të shijoni një nga verërat më të njohura të Ballkanit, Kallmet, në versionin e saj të kuq, të bardhë ose të vjetruar. Gjithashtu po aty pranë është ‘Artistike Zadrima’. Një punishte artizanale ku në tezgjah prodhohen tekstile dhe orenditë e shtëpisë”.

Në listë janë 2 destinacione në Itali dhe nga 1 në Francë, Irlandë, Kroaci, Spanjë, Holandë, Portugali, Greqi, Slloveni dhe Mali i Zi.

“Mrizi i Zanave”, me produktet e tij, me shërbimin dhe me mikpritjen ka bërë që çdo turist, vendas apo i huaj, që viziton zonën e Lezhës, të bëjë edhe një ndalesë në Fishtë, në modelin e agroturizmit në Shqipëri.