21 prill 1921-21 prill 2021/ Sot 100 vite nga Parlamenti i parë shqiptar

24
Grup deputetesh, nga e majta ne te djathte Ulur: Osman Haxhiu, Luigj Gurakuqi, Pandeli Evangjeli, Ibrahim Xhindi, Mustafa Kruja, Ndre Mjeda, Spiro Koleka Ne kembe: Kol Thaçi, Shuk Gurakuqi, Patuk Saraçi, Riza Dani, Maliq Bushati

Plot 100 vite më parë, paraditen e 21 prillit 1921 (saktësisht në orën 10:00) për herë të parë në historinë e Shqipërisë do të niste punimet Parlamenti. Ishte një ngjarje historike për Shqipërinë, ku për herë të parë 56 deputetë të zgjedhur nga vullneti i popullit do të uleshin në parlamentin shqiptar.

Me rastin e 100 vjetorit të kësaj ngjarje Arkivit Qendror Shtetëror ka publikuar disa foto dhe dokumenta nga ajo ditë.

Pas hapjes së sesionit prej Dhimitër Kacimbrës, (Kryetar i Këshillit Kombëtar)  Pandeli Evangjeli merr fjalën i dyti si i zgjedhuri për të kryesuar Këshillin Kombëtar në këtë legjislaturë. Procesverbali i seancës së parë të Këshillit Kombëtar ruhet në origjinal në Arivin Qendror Shtetëror dhe është i botuar në disa variante, i pari po në vitin 1921.

Parlamenti i vitit 1921 i cili u formua pas këtij procesi zgjedhor, të parit në vend, njihet për nivelin e lartë të përfaqësimit pasi të zgjedhurit ishin intelektualët më të zëshëm të kohës.

Veç njësive dokumentare origjinale që lidhen me këtë legjislaturë dhe ato në vijim, në Bibliotekën e Arkivit Qendror Shtetëror gjendet botimi me fjalimet e deputetëve që folën në këtë seancë të parë historike që themeloi parlamentarizmin në Shqipëri.

Godina në të cilën u mblodh parlamenti, në vitet 1928-1939 u bë “Pallati Mbretëror” dhe sot është selia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.