AZHBR, serra në Fier rrit sipërfaqen e të mbjellave me 66 hektarë

0

Serrat me fidanë kryesisht frutorë, sipas standardeve më të mira që garantojnë prodhim cilësor, po shtohen vazhdimisht, duke parë edhe kërkesat në rritje të tregut.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural solli sot shembullin e kompanisë Green Central sh.p.k. në Fier, e financuar përmes programit IPARD II në sektorin e kultivimit të fruta-perimeve në serra.

Përmes fondeve IPARD u bë e mundur ndërtimi i serrës dhe blerja e pajisjeve për mundësimin e teknikave të reja të kultivimit të perimeve, me qëllim prodhimin e produkteve cilësore, brenda standardeve të kërkuara gjatë gjithë vitit.

Kjo serrë ka një sipërfaqe prej një 1 ha, por në total programi IPARD II ka rritur sipërfaqen e të mbjellave në serra me 66 ha.

AZHBR përmes programit IPARD II me fonde të Bashkimit Europian në bashkëfinancim me qeverinë shqiptare në të tre thirrjet për aplikim, ka mbështetur sektorin e kultivimit të fruta-perimeve në serra.

Qëllimi i këtyre investimeve është që përmes risive dhe teknologjive të aplikuara të sigurohet rritje e rendimentit të prodhimit, dhe të arrihen standardet e cilësisë për të pasur produkte konkurruese brenda dhe jashtë vendit, gjatë gjithë vitit.

Fermerët kanë rritur ndjeshëm vitet e fundit prodhimin e perimeve të freskëta në serra, falë edhe subvencioneve nga dy masa të Skemës Kombëtare të Mbështetjes së Bujqësisë 2022, që adresojnë pagesa direkte, për faturat e inputeve bujqësore dhe financim 50 % të vlerës së investimit në serra.

Me mbështetjen e AZHBR-së, janë ndërtuar deri më tani 80 serra të reja diellore moderne të teknologjisë së lartë në 12 bashki të vendit, disa prej të cilave janë shndërruar në komplekset më të mëdha të serrave krahasuar me vendet e rajonit.

Kryesojnë serrat model të kultivimit të fidanëve të perimeve, të prodhimit të perimeve të freskëta, në Fier, Lushnjë, Divjakë, Berat, Durrës, Vlorë teksa ato janë shtrirë edhe në Korçë e Delvinë.

Me mbështetjen e AZHBR nëpërmjet programit IPARD, fermerët gjithashtu janë mbështetur të investojnë në ndërtimin e serrave diellore të automatizuara, që ka nxitur punësimin, ka ndikuar në rritjen e prodhimit për eksport dhe rritjen e të ardhurave për familjet rurale.

/ata.gov.al