Berati, destinacioni i 400 mijë turistëve në 2022

3

Qyteti i një mbi një dritareve vijon të mbetet ndër qytetet më të preferuara të turistëve. Gjatë këtij viti Berati ka shënuar një fluks të lartë turistësh, ku në janar-dhjetor u vizitua nga rreth 400 mijë vizitorë, ku 80% e turistëve janë të huaj.

Ky është numri më i lartë i vizitorëve në të gjithë historinë e qytetit. Vitet e fundit turistët po kalojnë më shumë kohë në qytet. Më herët turistët kryenin vizita ditore, ndërsa tani ata qëndrojnë të paktën 1-2 netë në qytet dhe kanë mundësi të njihen më mirë me historinë dhe kulturën e këtij qyteti të lashtë.

Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.

Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.