Berati destinacioni i preferuar i turistëve, sa persona vizituan muzetë

13

Muzeu i Ikonografisë Onufri dhe Muzeu Etnografik në Berat shënuan një numër të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat bëri të ditur se “edhe muaji gusht në këtë vit i kaloi pritshmëritë tona me numrin e lartë të vizitorëve, të cilët përzgjodhën të kalojnë një pjesë të pushimeve të tyre në Berat, mes monumenteve të arkitekturës dhe  muzeve”.

Muzeu i Ikonografisë Onufri dhe Muzeu Etnografik gjatë gushtit patën 7969 vizitorë, kryesisht familjarë e individë vendas dhe të huaj, pothuajse sa në të njëjtin muaj të vitit 2019.

Ndërsa në periudhën janar-gusht 2022 u vizituan nga 28 652 vizitorë.

Sipas shifrave të publikuara nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat tij, gjatë muajit janar 2021 këta dy muze u vizituan nga 11883 vizitorë, ndërsa në gusht 2022 nga 7969 dhe në gusht 2021 nga 4306.

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Ky muze ka një fond të pasur etnografik me rreth 1200 objekte.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.