Bletaria, 183 milionë lekë në dispozicion të fermerëve

11

Bletaria është një nga 7 sektorët që financon Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë 2020, si një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë rurale që vitet e fundit po zgjeron prodhimin dhe eksportin e mjaltit në tregjet e huaja.

Arrin në mbi 183 milionë lekë vlera e aplikimeve të fermerëve nga 12 qarqet e vendit, në Skemën Kombëtare 2020, për të përfituar subvencione në bletari.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se, 1547 fermerë kanë aplikuar për të përfituar nga masa e dytë e mbështetjes për bletari, nga totali i 7 434 aplikimeve që janë kryer deri tani nga fermerët për 7 masat që mbështet Skema që janë: Tufa bazë e matrikulluar; Bletaria; Financime për zëvendësim plastmasi termik; Mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike; Mbështetje për fermat organike; Certifikimi Global Gap; Investime në agroturizëm.

Fondet e Skemës Kombëtare, parashikojnë subvencionimin me 1 mijë lekë për zgjua për fermat që kanë jo më pak se 50 koshere. Ulja e këtij numri nga 100 në 50 koshere është bërë që vitin e kaluar, me qëllim për t’i dhënë një tjetër nxitje zhvillimit të këtij aktiviteti.

Bletaria në Shqipëri ka një traditë të hershme. Mjalti i prodhuar në vendin tonë shquhet për cilësi kurative dhe vlera të larta ushqyese për shkak të natyrës  dhe klimës që ka vendi ynë.