BSH: Sa miliardë lekë kanë shqiptarët të kursyer në banka

20

 Totali i kursimeve në banka arriti në vlerën 1.23 trilionë lekë, në fund të muajit prill ose gati 10 miliardë euro.

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se, krahasuar me muajin mars 2022, kursimet janë rritur me 873 milionë lekë ose 0.07 %, në muajin prill.

Sipas BSH-së, kursimet në monedhën vendase ranë me 0.6 %, të ndikuara kryesisht nga tkurrja e depozitave të korporatave jo financiare. Ndërsa depozitat në valutë, u rritën me 0.62 % në raport me marsin, duke amortizuan tkurrjen e kursimeve në monedhën vendase.

Rritja u nxit kryesisht nga individët.

Me bazë vjetore, depozitat në prill u rritën me 8.9 %. Rreth 85 % e kësaj rritjeje erdhi nga shtimi i kursimeve në valutë, ndërkohë që individët dhe bizneset duket se po e kanë më të vështirë të kursejnë në monedhën vendase.

Në fund të prillit, depozitat në valutë zinin 56.2 % të totalit, nga 53.6 % të totalit.