Drejt fundit restaurimi i Kishës së Shën Mëhillit në Mingul të Gjirokastrës

29

Kisha e Shën Mëhillit, Monument Kulture i kategorisë I, ndodhet në fshatin Mingul, rreth 15 km nga qyteti i Gjirokastrës. Kisha është e pozicionuar në qender të fshatit dhe përdoret ende nga komuniteti lokal.

Kisha e Shën Mëhillit është një ndërtim i tipit bazilikal me kupolë, ajo përbëhet nga naosi, narteksi, hajati dhe një ambient i shtuar në anën perëndimore. Kisha është ndërtuar me gurë shtufi, të vendosur në mënyre jo të rregullt në muraturë dhe është e zhveshur krejtësisht nga përpunimi dekorativ.

Kompozimi planimetrik dhe hapësinor i ambientit të brendshëm, ku ende ruhen elemente të tilla si kupola mbi tambur, copëtimi i hapësirës së nefeve në bërthama të veçanta, si dhe trajtimi i jashtëm i varfër janë karakteristika të fillimit të shek. XVIII kohë në të cilën mendohet të datojë kisha.

Kjo kishë ka katër faza ndërtimi; faza e parë është ndërtimi i naosit, në fazën e dytë shtohet narteksi, në fazën e tretë shtohet hajati dhe në fazën e katërt shtohen ambientet ndihmëse në krahun perëndimor të kishës.

Kjo kishë është 1 nga 8 objektet pasuri kulturore të cilat po i nënshtrohen punimeve restauruese me fondin e buxhetit të shtetit gjatë vitit 2023. Ky investim do të bëj të mundur restaurimin e plotë të pasurisë kulturore dhe ruajtjen e vlerave që ky objekt mbart, si dëshmi e zhvillimit të kësaj tipologjie objekt kultit në këtë zonë, si dhe ruajtjen dhe konservimin e pikturës murale me vlera të padiskutueshme në trashegiminë tonë kulturore.

Punimet restauruese kanë filluar në korrik të këtij viti, dhe janë drejt përfundimit të tyre.

/ata.gov.al