“Ecoo”: Liqeni i Ohrit, vendbanimi më i vjetër në Evropë

7

Ujërat e liqenit të Ohrit kanë fshehur prej vitesh një thesar të madh.

Sipas analizave shkencore, ky është vendbanimi më i vjetër njerëzor në të gjithë Evropën, shkruan në një artikull gazetarja Paola Saija, të botuar në të përditshmen italiane ecoo.it.

I konsideruar si “Perla e Ballkanit” dhe i njohur për ujërat e tij bruz, Liqeni i Ohrit ka marrë statusin zyrtar pas studimeve të kryera prej disa vitesh.

Disa shkencëtarë, të cilët kryen gërmimet për katër vjet, në bashkëpunim me disa arkeologë shqiptarë dhe ekspertë nga Universiteti i Bernës njoftuan zbulimin befasues.

Zbulohet vendbanimi më i vjetër njerëzor në kontinent 

Një studim i fundit ka nxjerrë në pah sesi vendbanimi që ndodhet pranë fshatit Lin, në Pogradec, është më i vjetri në Kontinentin e Vjetër.

Ekspertët kanë arritur të konstatojnë se ai është mbi 8000 vjet i vjetër dhe daton 6000 mijë vjet para Krishtit.

Qëllimi i studiuesve tani është të mësojnë informacione të tjera se si ishte jeta e njeriut në epokën neolitike.

Kjo do të çonte në përvetësimin e zbulimeve të reja historike, për këtë arsye shkencëtarët do të thellojnë kërkimet e tyre bazuar në shtëpitë e ndërtuara mbi shtylla.

Tani lindin shumë dyshime dhe janë legjitime, një prej tyre është: sa njerëz priti vendbanimi më i vjetër në Evropë?

Nuk ka një numër të caktuar, por shkencëtarët vlerësojnë një shifër midis 200 dhe 500 banorëve.

Mbetet ende për t’u konfirmuar se si ata ushqeheshin, edhe në këtë rast nuk dihet asgjë saktësisht, por nuk përjashtohet mundësia se ata përdorën bagëtinë për të siguruar ushqim dhe bujqësi.

Por, nevojiten kërkime të mëtejshme për të vërtetuar të gjitha këto me saktësi.

Rruga përpara është shumë e gjatë, do të duhen edhe dy dekada të tjera për të zbuluar dhe mësuar rreth të gjitha mistereve që ende qëndrojnë rreth këtij vendbanimi.

Një zbulim që ndryshon “letrat në tavolinë”

Gjetjet aktualisht ndodhen në Universitetin e Oksfordit dhe tani priten rezultatet e analizave të cilat do të japin të dhëna më të sakta se si kanë jetuar popullatat e kohës 8 mijë vjet më parë.

Megjithatë, një gjë është e sigurt se vendbanimi ishte i fortifikuar, siç tregohet nga dërrasat e panumërta të gozhduara që u gjetën gjatë një zhytjeje në thellësi.

/ata.gov.al