Eksportet drejt Britanisë rritje me më shumë se 3 herë gjatë 11-mujorit

5

Eksportet shqiptare drejt Mbretërisë së Bashkuar kanë shënuar një rritje me më shumë se 3 herë në periudhën janar-nëntor të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Referuar raportit të publikuar Instituti i Statistikave, eksportet drejt Britanisë arritën 6.2 miliardë lekë në fund të 11-mujorit të këtij viti, nga 2 miliardë lekë që u shënuan në 11-mujorin e vitit 2022.

Ndryshe nga eksportet importet shënuan rritje me ritme më të ulëta. Sipas statistikave ato shkuan në fund të 11-mujorit në rreth 8 miliardë lekë, nga 6.7 miliardë lekë që ishin për të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Pas daljes nga Bashkimi Europian, Shqipëria ka nënshkruar në fillim të vitit 2021 një marrëveshje të partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut.

Marrëveshja siguron që mallrat me origjinë nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga Shqipëria të përfitojnë trajtim tarifor preferencial reciprok të njëjtë me atë që kanë përfituar kur Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e Bashkimit Evropian.

Referuar analizave dhe të dhënave zyrtare, ekziston një potencial ende i pashfrytëzuar i marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve.

/ata.gov.al