Eksportet “Made in Albania”, 65 milionë euro fruta-perime kaluan kufijtë në 9 muaj

36

Edhe pse prej muajsh vendi ndodhet nën presionin e pandemisë COVID-19, sektori bujqësor duket se ka performuar pozitivisht, duke mos e ndalur hovin e rritjes, të paktën sa i takon eksporteve. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë,  për 9-mujorin e vitit 2020 eksportet e fruta perimeve rezultojnë në rritje si në sasi edhe në vlerë.

Konkretisht në sasi janë eksportuar 17.6% më shumë se e njëjta periudhë e një vitit më parë, apo rreth 160 mijë ton në total. Ndërsa në vlerë monetare, rritja rezulton në 16.6%, ku gjatë kësaj periudhe janë treguar jashtë kufijve rreth 8.1 miliardë lekë produkte apo afro 65 milionë euro, me një rritje prej rreth 1.1 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se eksporti i perimeve për 9 mujorin 2020 përbën 77.4% të sasisë së eksportit të fruta perimeve ndërsa eksporti i frutave përbën 22.5% të sasisë së tregtuar jashtë kufijve. Volumi tregtar për frutat është rritur me 9.37% dhe për perimet është rritur me 6.43%.