FOTOT – Përmeti i preferuari i turistëve, ja sa persona e kanë vizituar

24

Qyteti i Përmetit, i vendosur shumë bukur buzë Vjosës së kaltër, po tërheq gjithnjë e më shumë një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.

“Qyteti i trëndafilave” është cilësuar ‘perla’ e turizmit shqiptar dhe vendi ideal për pushime dhe aventura familjare, pasi kombinon ecjen në kanion, lundrimin në lumë me gomone apo kajak dhe climbing.

Zyra e Turizmit në bashkinë e Përmetit bën të ditur se numri i turistëve vendas e të huaj që kanë vizituar Përmetin nga janari deri në fund të tetorit është rreth 37 mijë, nga të cilët 15 mijë të huaj dhe 22 mijë vendas.

Përmeti është vizituar kryesisht nga turistët e huaj, si serbë, gjermanë, çekë, polakë, italianë, ukrainas, maqedonas, etj.

Për të rezervuar në hotelet e Përmetit duhet të rezervosh disa ditë më parë, pasi në fundjavë nuk gjendet kollaj vend në hotelet e zonës. Por vitet e fundit turizmi familjar po merr përparësi me disa “guesthouse” që po shtohen për të pritur turistët vendas e ata të huaj.

Gjatë viteve të fundit turistët kanë gjithnjë e më shumë një trend në rritje për të vizituar Përmetin, që ruan në territorin e tij destinacione të rëndësishme të ekoturizmit, turizmit të aventurës me biçikletë, hiking dhe atë lumor.

Në këtë qytet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.

Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë. Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan.

Një tjetër monument kulti dhe historik shumë i famshëm në Shqipëri është edhe Teqeja e Frashërit, e ndërtuar më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit.

Në pjesën lindore të tij ndodhen ujërat termale të Bënjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave. Ujërat Termale të Bënjës çdo vit tërheqin mijëra vizitorë vendas e të huaj.