Hapen aplikimet, 200 biznese të vogla dhe fermerë do përfitojnë mbështetje nga qeveria dhe GIZ

18

Përmes një instrumenti të ri të quajtur Cosolve-19, qeveria në bashkëpunim me projektin gjerman GIZ, po ofrojnë grante në ndihmë të biznesit të vogël dhe fermerëve.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, njofton për hapjen e fazës së aplikimeve për grante deri më 15 dhjetor 2021, për rreth 200 ndërmarrje mikro, të vogla e të mesme si edhe për fermerët e regjistruar që kanë ndjekur trajnimet dhe takimet këshillimore të CoSolve19.

Pas analizës së nevojave të biznesit, përcaktimit e masave për ndryshim dhe zbatimit të planit të ndërhyrjes, bizneseve u janë vënë në dispozicion dy plane për grante ku mund të aplikojnë për të përfituar.

NMVM-të dhe fermerët që nuk janë pjesë e CoSolve-19 nuk kualfikohen për grante, por kanë mundësi të aplikojnë për thirjen e dytë të këtij programi.

Instrumenti këshillimor për zbutjen e krizës së COVID-19 është një iniciativë e përbashkët e programeve dypalëshe te Bashkëpunimit gjermano-shqiptar për Zhvillim, përkatësisht: “Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal, promovimi i punësimit, arsimi dhe aftësimi profesional”.

Qëllimi i përgjithshëm është mbështetja e NMVM-ve të prekura rëndë nga pasojat e krizës së COVID-19 në Shqipëri, pikësëpari për të ruajtur punësimin dhe pse jo edhe për ta rritur atë.

Në realizimin e kësaj iniciative, Cosolve-19, synon të japënjë kontribut të rëndësishëm për NVM-të dhe sektorët e bujqësisë, turizmit, apo sektore te tjere.

Gjithashtu, NMVM-të do të forcohen në përdorimin e zgjidhjeve të reja digjitale dhe inovacionit, jo vetëm për të amortizuar krizën aktuale, por edhe për t’i përshtatur aktivitetet e tyre me qëllim adoptimin në situatën e re post Covid.

Këto qëllime do të arrihen duke u ofruar NMVM-ve këshillim dhe trajnime të përshtatura sipas nevojave të tyre individuale duke përfshirë informacion mbi mundësitë e financimit të ideve të tyre si dhe mundësi financiar për zhvillimin e tyre.