Hapet Shërbimi i Kardiologjisë në Spitalin Qendror

2

Hapet Shërbimi i Kardiologjisë në Spitalin Qendror në QSUT. Në ditën e hapjes së këtij shërbimi të rëndësishëm, të cilin ministrja e Shëndetësisë e konsideroi zemrën e spitalit të ri, u zhvillua një ceremoni e veçantë për emërtimin e Klinikës së Reanimacionit Kardiak “Anesti Kondili”.

Ky shërbim falë investimit dhe pajisjes me aparatura të teknologjisë së lartë, do të rrisë cilësinë e trajtimit dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

Dje ishte hapja e shërbimeve të kardiologjisë, njësisë së hemodinamikës dhe reanimacionit të kardiologjisë në këtë Spital Qendror. Këto shërbime kanë një kapacitet prej 116 shtretër në pavione, 20 shtretër të terapisë intensive dhe 3 angiografe e pajisje të reja që pritet të rrisin dhe më shumë cilësinë e shërbimit, nga diagnoza, tek trajtimet invazive, deri tek trajtimet e reja.

Gjatë ceremonisë së vendosjes së emrit të Reanimacionit të Kardiologjisë në nder të prof. Anesti Kondili, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe drejtuesit e shërbimit të kardiologjisë, kanë vlerësuar figurën e mjekut të njohur kardiolog prof. Anesti Kondilit, si themelues i këtij shërbimi delikat.

Shërbimet e Kardiologji 1 dhe 2  janë transferuar së fundmi në Spitalin Qendror në QSUT. Kapacitetet e këtyre dy shërbimeve janë 116  shtretër. Për fuqizimin e Kabinetit të Hemodinamikës në Spitalin e ri është instaluar angiografi i tretë (CathLab) një pajisje mjekësore e teknologjisë së lartë.

Aktualisht Shërbimi i Hemodinamikës në QSUT është shërbimi i vetëm në institucionet spitalore publike që trajton urgjencën kardiake 24/7 me një volum prej 5,790 ndërhyrje në vit (pacemaker, angiografi, angioplasikë). Transferimi i shërbimeve drejt spitalit të ri pritet të mbyllet me transferimin e Shërbimit të Urgjencës Polivalente në ditët në vijim.

/ata.gov.al