Kalimi i tokës bujqësore, bie kriteri i vendbanimit

132

Në fillim të muajit prill pritet që të hyjnë në fuqi ndryshimet e bëra në ligjin “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, i ndryshuar.

Tashmë i publikuar në Fletoren Zyrtare, ligji me ndryshimet e bëra së fundmi rrëzon kriterin e vendbanimit të detyrueshëm të atyre që kanë përfituar tokën bujqësore, çka do të thotë që ata jo domosdoshmërisht duhet të jenë ende banorë të së njëjtës njësi vendore. Kështu, në nenin 2 të ligjit, qeveria ka shfuqizuar pikën “i” e cila theksonte se ligji zbatohet për subjektet që përmbushin disa kushte mes të cilave “në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji të jenë banorë të njësisë së qeverisjes vendore dhe prej datës 1.10.1992 nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre sipas regjistrit të gjendjes civile.

Nga ana tjetër, ligji shton kategoritë e atyre që përfitojnë përmes dy pikave të reja. Ky ligj do të zbatohet për “familjet bujqësore ose individët, të cilët përmbushin kushtin e parë duke qenë punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.8.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka objekt i kalimit në pronësi, pas datës 1.8.1991, por të mos kenë përfituar tokë bujqësore në përdorim apo pronësi, në fshatin ku kanë pasur gjendjen civile më 1.8.1991. po kështu edhe kushtin e dytë që e përdorin tokën për veprimtari bujqësore por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë.

Përfitues sipas pikës së katërt që shtohet në nenin 2 janë familjet bujqësore ose individët, të cilët përmbushin kushtet si më poshtë: i) nuk kanë qenё punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por kanë qenё banorё të fshatit ku gjendet toka bujqësore, objekt i kalimit të pronësisë, sipas regjistrit të gjendjes civile më 1.8.1991, por të mos kenë përfituar më parë tokë bujqësore në përdorim apo pronësi; ii) e përdorin tokën për veprimtari bujqësore por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë.”

I njëjti ligj ka përfshirë edhe kategoritë e pronave që përjashtohen nga procesi i kalimit të titujve duke shtuar se nuk do të vijohet me këtë pjesë për ato prona që janë objekt i investimeve strategjike sipas ligjeve në fuqi.

Sipas ligjit, afati për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve mbyllet në datën 31 dhjetor 2019.