Konferencë shkencore mbarëkombëtare për Arbërinë në Akademinë e Shkencave

1

Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të mbajë konferencën shkencore mbarëkombëtare “Nga Shteti i Àrbërit tek Arbëria në shekujt e humanizmit europian” në 555-vjetorin e vdekjes të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Në këtë konferencë, që do të mbahet nga datat 9-10 tetor, do të marrin pjesë mbi 40 studiues dhe albanologë nga vendi dhe të huaj.

Konferenca organizohet në bashkëpunim me Bashkinë e Mirditës, Dioqezën e Mirditës, Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar.

Dita e parë e konferencës do të nisë në oborrin e kishës së Shën Mërisë në Gëziq (Ndërfanë) në Mirditë, ku pjesëmarrësit do të priten nga dom Umberto Boero.

Këtë ditë do të bëhet dhe ndarja e certifikatave të falënderimit nga përfaqësuesit e familjeve me kontribute për ruajtjen e objekteve historike që dëshmojnë ekzistencën e Shtetit të Arbnit 8 shekuj më parë.

Veprimtaria do të vijojë me një program artistik me këngë e valle mirditore. Dita e dytë e konferencës do të nisë në Akademinë e Shkencave, në sallën “Aleks Buda”, ku do të mbahen 5 seanca plenare. Seancat do të drejtohen përkatësisht nga Pëllumb Xhufi e Lucia Nadin  (Venezia, Itali); Neritan Ceka e Andrea di Giuseppe; Bardhyl Demiraj e Aristotel Spiro; Ermal Baze e Marenglen Kasmi; Albert Doja dhe Eno Koço. Kumtesat që do të mbahen në këtë konference do të sjellin risi për arbërit në shekujt e Mesjetës, zhvendosjen e arbëreshëve në Itali dhe procesin e asimilimit në Venecia; aspekte të organizimit kishtar në trojet e peshkopatës Arbanense gjatë shekujve; historitë e qyteteve arbërore dhe komunikimin e tyre me Europën, kultet arbërore, historinë e Skënderbeut, shtrirjen e Arbërit në shekujt e Mesjetës, si dhe të dhëna të reja për dorëshkrimet e shqipes, duke përfshirë edhe çështje të tjera të gjuhësisë, religjionit, trashëgimisë, arkeologjisë dhe historisë; vështrime të reja mbi statuset e Shkodrës, muzikën tradicionale arbërore, etj.

/ata.gov.al