Kur Korça shpallej krahinë autonome/ A e dini se…?

14

103 vite më parë, më 10 dhjetor 1916, u shpall “Krahina Autonome e Korçës”.

Brenda një kohe shumë të shkurtër, Krahina Autonome e Korçës mori tiparet e një shteti. Ajo përfshinte një njësi territorialo-administrative të përcaktuar, me vetëqeverisje të brendshme përfaqësuar nga një këshill shqiptar dhe autoritetet ushtarake franceze, një xhandarmëri dhe një gjykatë. Ajo kishte edhe 3 simbolet e një shteti: flamurin, pullën dhe monedhën e saj.

Për të përmbushur nevojat e tregut për të holla, administrata e Krahinës Autonome të Korçës, në mungesë të një banke qendrore, ngarkoi Zyrën e saj të Financave me detyrën e emetimit të kartëmonedhave, që u quajtën Frangë, sipas frangut francez, monedha bazë e Republikës së Francës.

Më 1 mars 1917, kjo zyrë hodhi në qarkullim emisionin e parë, në dy prerje, Gjysmë Frangë dhe Një Frangë në serinë A; më 25 mars 1917, në serinë B; dhe më 10 tetor 1917, në serinë C.
Seria A, në njërën anë të legjendës ka të shkruar “Shqipërië Vetqeveritare”, së bashku me shqiponjën me dy krerë. Ndërsa, në anën tjetër, ka dekoracione dhe vlerën 1 Frangë dhe në frëngjisht “Un franc”.

Seria B ka të njëjtën legjendë me të parën, po ndryshe nga Seria A, në faqen e pasme të kartëmonedhave të të dyja prerjeve, lart në të djathtë, ka vulën e rrumbullakët me shqiponjë në mes, rreth së cilës tashmë shkruhet “Direksia e Financës Korçë”.

Seria C ndryshon nga dy të parat për shkak të ndryshimit të statusit të krahinës. Tani kartëmonedha nuk mban më legjendën “Shqipërië Vetqeveritare”, por “Republika Shqiptare”.