“Made in Albania”, 264 milionë euro eksporte bujqësore drejt botës në 7 muaj

29

Bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së Shqipërisë, që jep një kontribut prej rreth 18-20 % në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe angazhon gati 37% të fuqisë punëtore.

Vetëm në 7 mujorin e parë të këtij viti eksportet bujqësore kanë shënuar rritje në 48 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në 7 mujorin e parë të 2021, sipas ministrise se Bujqesise, eksportet e prodhimeve bujqësore shqiptare arritën në 216 milionë euro, ndërsa në 7 mujorin e këtij viti, ato arritën në 264 milionë euro.

Rritja vit pas viti me ritme dyshifrore e eksporteve të fruta-perimeve të freskëta i ka kthyer produktet bujqësore “Made in Albania” ndër grupet më të rëndësishme të eksporteve shqiptare.

Perimet e freskëta të fushës dhe serrave, frutat dhe bimët mjekësore janë produktet më të eksportuara nga grupi i ushqimeve “Made in Albania”, me një rritje të shpejtë vitet e fundit si rrjedhojë e investimeve në serra me teknologji të lartë dhe shtimit të sipërfaqes së mbjellë.

Nga Lushnja, kryeqendra e prodhimit bujqësor nisen kamiona me perime drejt Suedisë, Danimarkës, Gjermanisë, Austrisë e kudo në Evropë. Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sot Shqipëria po konkurron me gjigantët e prodhimeve bujqësore, me Spanjën dhe Turqinë.

Harta e vendeve ku eksportohen produktet “Made in Albania” është e gjerë. Përmendim këtu shtete si Italia, Gjermania, Suedia, Republika Çeke, Anglia, Polonia, Kroacia e tjerë. Ndërsa krahas vendeve të BE-së, eksportet janë  zgjeruar edhe në tregje të reja si India, ku eksporti i mollëve është rritur 60%.

Rritja e të ardhurave nga eksporti ka rritur ndjeshëm potencialet e bujqësisë në zonat më produktive bujqësore të vendit si Lushnjë, Fier, Berat, ndërsa eksportet në rritje po ndikojnë në rritjen e bizneseve bujqësore, gjithashtu dhe të investime në teknologji bashkëkohore.

Sot janë 90 produkte që po identifikohen për të marrë certifikatën e e origjinës, një element ky i rëndësishëm për të çuar përpara eksportin shqiptar.