Mblidhen firmat për ndërtimin e konviktit në Durrës, ndihmon studentët nga rrethet

0

Në universitetin e Durrësit po mblidhen firmat për ndërtimin e një konvikti studentor.

Universiteti i 2-të më i madh në vend nuk ka pasur asnjëherë që prej krijimit të tij një konvikt për strehimin e studentëve që vijnë nga larg.

“Në bashkëpunim me disa organizata ne kemi ndërmarrë nismën me 2500 firma, që t’ia adresojmë universitetit, bashkisë dhe ministrisë”, thotë Klaudio Hyseni, koordinator i nismës.

Se sa nevojë kanë për një konvikt, e thonë më mirë vetë studentët.

“Është shumë e nevojshme. Të paktën do kemi pak ndihmë”, shprehet një studente.

Pagesa e shtëpive, të cilat i marrin me qira, u shtohen shpenzimeve që rëndojnë xhepat e studentëve, shumica të papunë.

“Është shumë e vështirë të gjejmë punë, për shkak të sigurimeve. Si studentë se përballojmë dot as tarifën e shkollës. Minimumi shpenzojmë diku tek 500 a 1 milion lekë në muaj, sepse jemi 3 vajza”, thotë një tjetër.

Sot universiteti “Aleksandër Moisiu” ka 5 fakultete dhe numëron rreth 20 mijë studentë, më shumë se 50% e të cilëve vijnë nga rrethet, ose bashki të tjera që përfshin qarku.

euronews.al