Monedha shqiptare, forcohen elementët e sigurisë

340

Banka Qendrore ka përmirësuar cilësinë e emisionit të monedhës shqiptare.

Gjatë vitit 2018 Banka Qendrore ka zbatuar një sërë masash që synojnë minimizimin e rrezikut operacional, përmirësimin e procesit të përpunimit të monedhës, dhe mbrojtjen e saj nga falsifikimi.

Gjithashtu, gjatë vitit që sapo u mbyll Banka Qendrore vijoi punën për realizimin e kartëmonedhës me prerje 10,000 lekë, e cila i shtohet serisë së kartëmonedhave në qarkullim në vitin 2020 dhe pasqyron simbolet e flamurit kombëtar.

BSH-ja njoftoi se do të vazhdojë të analizojë strukturën e parasë në qarkullim dhe elementet teknike të dizenjos së kartëmonedhave shqiptare, kryesisht në aspektin e sigurisë. Këto analiza kanë rezultuar në nevojën që ekonomia ka për emetimin e prerjes 10.000 lekë.

Gjithashtu mbajtja e cilësisë së kartëmonedhave në nivele të kënaqshme në vijimësi, do të realizohet nëpërmjet zhvillimit të mëtejshëm të proceseve të automatizuara të përpunimit, paketimit dhe shkatërrimit të kartëmonedhave në Qendrën e Cash-it.

Në këtë kuadër, synohet zëvendësimi i sistemeve të vjetra të përpunimit me sisteme bashkëkohore të përdorura në bankat qendrore evropiane, si dhe zëvendësimi i sistemit aktual informatik të administrimit të cash-it me një program të ri bashkëkohor.