Ndërtoi vetë shkollën në Skrapar, SHBA shkruan për nismën e re të mësues Donaldit

143

Pak muaj më parë dy mësuesit Donald Dervishi dhe Borsion Spaho tërhoqën vëmendjen e shqiptarëve për gjestin e tyre human. Dy kolegët ndërtuan vullnetarisht një shkollë në zonën e  Skraparit.

Ndërkohë, Donaldi duket se nuk dëshiron që të ndalet me kaq. Në një njoftim të Ambasadës Amerikane në Tiranë bëhet e ditur se 32 vjeçari kërkon të bashkëpunojë me këdo që është i gatshëm të përfshihet në rrugën e tij të ndërtimit të shkollave dhe mbështetjes së nismës “Lëvizja për Dije”.

“Donaldi, 32 vjeç, është nga Therepeli, Skrapar. Për vite të tëra ai ka qenë një aktivist i angazhuar në mënyrë të pavarur për çështje që kanë patur ndikim social në shoqëri. Ai është një nga nismëtarët e “Lëvizjes për Dije”, në fillim të së cilës ai dhe një mësues tjetër nga Skrapari u përkushtuan për të ndërtuar një shkollë të re. Brenda një viti, ata arritën të realizojnë me sukses këtë mision. Sot, Donaldi kërkon të bashkëpunojë me këdo që është i gatshëm të përfshihet në rrugën e tij të ndërtimit të shkollave dhe mbështetjes së nismës “Lëvizja për Dije”. Bashkohuni me ne në 22 tetor për Ditën Kombëtare të Aktivizmit dhe dëgjoni Donaldin dhe folësit të tjerë teksa rrëfejnë historitë e tyre frymëzuese”, shkruhet në njoftimin e ambasadës.