Njihuni me Fabiolën, shkodranen që u bë futbolliste e Kombëtares

12

Vetëm 17 vjeçe, Fabiola Cakaj ka arritur të luftojë mentalitetin, duke treguar se futbolli nuk është vetëm një lojë çunash, por edhe vajzat mund t’ia dalin mjaft mirë.

Ajo ka rreth gjashtë vite që stërvitet rregullisht dhe tregon për rubrikën “Talentet Shqiptare” në “fshf.org” se si nisi të luajë futboll, sakrificat dhe dëshirat që ka për të ardhmen. Fabiola aktivizohet me ekipin kombëtar të femrave të U-19.

“Që fëmijë më ka pëlqyer shumë futbolli dhe kam luajtur me shokët dhe shoqet. Kur isha 11 vjeçe, më thanë që në fshatin tonë ofroheshin trajnime edhe për vajzat. Mentaliteti i varfër, jo vetëm në zonën ku unë jetoj, por thuajse në të gjithë Shqipërinë, që vajzat nuk duhet të luajnë futboll, bënë që unë të stërvitesha rregullisht, me vonesë. Por që gjithsesi, dëshira për të luajtur futboll ka ekzistuar që kur kam qenë e vogël”, shprehet ajo.

E pyetur se cili ishte njeriu i parë që e afroi me këtë sport dhe besoi tek ajo, Cakaj thekson se, “prindërit e mi padiskutim që më mbështetën, përderisa edhe më lejuan të trajnohesha. Por, personi i parë që më afroi me futbollin dhe që më ndihmoi të zhvillohesha është Emanuela Jaku. Për mua, ajo është ikona e futbollit të femrave në vendin tonë”.