Njihuni me Geartin, 15-vjeçari sjell revolucion në gjimnazet shqiptare

14

Teknologjia si instrument zhvillimi i jetës tonë dhe të ardhmes, po frymëzon çdo ditë e më shumë të rinjtë në Shqipëri, të cilët sa vjen e po rrisin kapacitetet e tyre në aspektin e formimit teknologjik. Një ndër këta të rinj është Geart Ferhati. Ai është vetëm 15 vjeç dhe krahas pasioneve të moshës, pjesën më të madhe të kohës ia dedikon kodimit.

Ai ka nisur të kodojë që kur ishte 12 vjeç, kohë kur prindërit e regjistruan në një kurs kodimi për fëmijë, thjesht për t’u argëtuar. Por sot, pas 3 vitesh si pjesë e botës së pafundme të inovacionit, Gearti ka kuptuar që, kodimi për të nuk është thjesht pasion, por edhe mision. Përmes teknologjisë, ai mund të përmirësojë cilësinë e jetës dhe të lehtësojë bashkëpunimin në kohë reale mes njerëzve kudo ku ata ndodhen. I tillë është edhe projekti I-vote.al, një platformë elektronike zgjedhore përmes së cilës bëhet i mundur digjitalizimi i procesit zgjedhor për qeverinë e nxënësve, në shkollat e arsimit para-universitar. Kjo platformë, jo vetëm do të mbetet në gjimnazet e vendit si një arritje në koncept dhe veprim, por është edhe tepër funksionale, dukë bërë kështu të mundur kalimin nga epoka e votimit klasik në epokën digjitale.

Por çfarë është I-VOTE.AL?

I-VOTE.AL është një platformë elektronike, tërësisht inovative, e cila shërben për digjitalizimin e votës, me qëllim që të kemi një proces të shpejtë dhe të sigurt gjatë votimeve për Qeverinë e Nxënësve. Përmes kësaj platforme bëhet i mundur ndërtimi i databazes, ku përfshihen listat e nxënësve dhe kandidaturat për çdo klasë. Çdo nxënës mund të aksesojë përmes një username dhe password. Secili mund të ushtrojë votimin e tij të lirë, përmes votës së fshehtë, për të zgjedhur senatorin e klasës ku ai bën pjesë. Duke qenë se sistemi është krejtësisht elektronik, pasqyrimi i rezultateve bëhet në kohë reale./ Businessmag