Pas Mjekësisë, edhe Universiteti i Tiranës rrit pagat për pedagogët

15

Senati akademik i Universitetit të Tiranës miratoi rritjen e pagës prej 8 % për pedagogët. Ky vendim i Universitetit të Tiranës vjen në përputhje të zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 5 Tetor për rritjen e pagës me 7 % nga buxheti i shtetit dhe 8 % nga universitetet, duke e çuar në total 15 % rritjen e pagës për pedagogët.

Në vendimin e senatit akademik të Universitetit të Tiranës i cili mban datën 31 Tetor të këtij viti, shkruhet se vendimi për rritjen e pagës në masën 8 % për pedagogët do të realizohet nga të ardhurat e universitetit nga shërbimet e tij.

Ky vendim për rritjen e pagës për pedagogët dhe stafin akademik të universiteteve i shtrin efektet e tij që prej datës 1 Tetor të këtij viti. Pas Universitetit të Mjekësisë, Universiteti i Tiranës është i dytë institucion i arsimit të lartë që ka marrë vendimin për rritjen e pagës së stafit akademik.